“Nuk ka burrë nëne të më bindë…”, Lubonja: Ja kush “fshihej” pas djalit të Aqif Rakipit!

Analisti Skënder Minxhozi tha në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, se sjellja dhe qëndrimet e Presidentit Ilir Meta gjatë fushatës elektorale dëmtuan
opozitën. Për Minxhozin, në dy zgjedhjet e fundit, ato të 2017 dhe të 2021, PD dhe LSI kanë lëvizur në të njëjtën sasi uji, duke i marrë dhe dhënë njëra-tjetrës. “Problemi është se në këto zgjedhje nuk ka reklamime gjatë procesit të nxjerrjes së rezultatit. Është kaluar në planin “B”, në atë që zgjedhjet janë vjedhur përpara. Do të thotë që njerëzit janë blerë 500 m para qendrës së votimit. Kjo i nxjerrë të gjithë, edhe të larë, edhe të palarë. Analogjia që bëhet me enët komunikuese PD-LSI, si enë që japin e marrin, bëhet sepse në momentin kur PD ra në 43 mandate, LSI vajti në 19, në momentin kur LSI zbret në 4 mandate, PD shkon në 59. Kjo do të thotë që është e njëjta sasi uji. Si fenomen, duket që këto dy parti në dy zgjedhjet e fundit, kanë shkëmbyer të njëjtën
sasi votash. Nëse sot flet me një pjesë të opozitarëve nuk është se nuk e kanë vetëdijen se Presidenti prishi punë, më shumë se ndreqi, për mënyrën si u fut në fushatën e opozitës.

Kur ai shkon me qëndrime më në skaj se vetë partitë, krijohet një situatë ku ai që do të jetë bariu, sillet si delja e zezë. Prandaj unë mendoj se duke filluar nga Monika Kryemadhi, që e kemi pasur në këtë tryezë dhe ka thënë çfarë ka thënë për Presidentin, kur ka aluduar se roli i Metës në fushatë nuk duhet  të ishte ai që ishte, kam përshtypjen se opozita e ka sot idenë e rolit të tij. Nuk besoj se ka njeri sot në opozitë që të thotë se roli i presidentit ishte pozitivë dhe na solli vota”, tha Minxhozi. Nga ana tjetër, analisti Fatos Lubonja theksoi se sjellja e Presidentit Ilir Meta mund të ketë ndikuar negativisht në fushatën e opozitës, por sipas tij, nuk e ka bërë ai diferencën në vota. “Mazhoranca ka marrë më pak se opozita, pra opozita ka fituar, por votat janë vlerë e manipuluar.

Unë jam i këtij opsionit, që Ilir Meta mund të ketë ndikuar negativisht, por nuk e ka bërë kjo diferencën në vota. Nuk është faktori Ilir Meta, që ndërroi balancën, pasi faktori është pikërisht vota e blerë me herët, ndoshta edhe ato mbi 83 mijë votat e pavlefshme. Nuk kam parë asnjë parti në vendet demokratike, që pas 8 vitesh të mbajë të njëjtin rezultat, nuk shkon kjo. Kjo ndodh vetëm me Putinin, as në Turqi nuk ka ndodhur, ndodh në vendet ku ka autoritarizëm. Nuk ka burrë nëne të më bindë që djali i Aqif Rakipit është i pesti më i votuari. Sipas të dhënave që kam unë, në Kavajë paska fituar ky, në fshatrat e Kavajës, sipas një burimi shumë të besueshëm. Dhe kush paska qenë drejtuesi politik i këtij djalit, Ornaldo Rakipit? Është Roshi”, tha Lubonja.

error: Alert: Content is protected !!