Meteorologu i njohur jep detaje : Ja se si do të jetë moti gjatë 15 ditëshit të dytë të Qershorit

Sinoptikani Hakil Osmani ka zbuluar si do të jetë moti këtë javë duke theksuar se dita më e favorshme për të bërë plazh është e shtuna, ndërsa të dielën priten sërish reshje shiu.

Duke folur për Fax News, Osmani u shpreh se edhe këtë javë nuk do të mungojnë vranësirat, ndërsa e shtuna do të jetë ndryshe nga ajo e javës së kaluar kur përjetuam rebesh.

“Java do të mbetet në prezencë të vranësirave dhe reshjeve të pakta të shiut, kryesisht në mesditë. Ndërsa mëngjesi do të jetë me vranësira të lehta dhe darka sjell sërish motin e kthjellët.

Kjo situatë do të vazhdojë deri të enjten ndërsa të premten do të ketë përmirësim të kushteve të motit duke bërë që e shtuna do të bëjë më shumë orë me diell edhe pse pritet që të ketë vranësira të lehta herë pas here.

Dita e shtunë do të jetë e favorshme. Ndërsa e diela sjell sërish vranësira gjatë mesditës dhe reshje të shiut deri pasdite, në zonat malore por edhe përgjatë shtrirjes perëndimore.

Ndërsa zonat bregdetare duke nisur nga Durrësit deri në Sarandë pritet që të jenë nën ndikimin e reshjeve të shiut, por nuk do të jenë problematike”, tha sinoptikani.

Ndër të tjera, sinoptikani theksoi se vera e vërtetë do të nisë në fundjavën e dytë të qershorit kur temperaturat do i kalojnë 30 gradë celsius.

“Mund të them se është një verë e vonuar sepse reshjet dhe rebeshet siç ishte dita e shtunë që kaluam, këto janë tipike për muajt e pranverës dhe të verës, kështu që 15 ditëshin e parë mund të themi që kemi verë të vonuar.

Ndërsa 15 ditëshi i dytë do të sjellë temperatura lehtësisht mbi 30-31 gradë celsius, ndërsa reshjet do të jenë më të pakta, por nuk përjashtohet ndonjë episod i shkurtër.

Kjo verë do të jetë e nxehtë dhe e thatë me temperatura deri në 40 gradë celsius si pasojë e masave ajrore që vijnë nga veriu afrikan dhe do të përjetojmë temperatura më të larta se vlerat normale”, përfundoi Osmani.

Leave a Reply