“Kjo qeveri nuk ka shanse të mbyllë mandatin e tretë”, ish-deputeti i PD-së: Basha pas 13 qershorit duhet të…

Gara në Partinë Demokratike, kush është kandidati më i avantazhuar? Kjo është pyetja që iu drejtua sot të ftuarve në emisionin “Breaking” në Top News.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë, Aleksandër Biberaj u shpreh se nuk do të ketë surpriza në këto zgjedhje dhe se Basha do të fitojë.

“I respektoj të gjithë kandidatët, por Basha është në PD prej 17-vitesh ku ka pasur poste të rëndësishme.

Kjo e bën më të vështirë për të tjerët për të fituar. Gjithashtu ka qenë edhe koha e kufizuar, pasi 3 javë nuk janë të mjaftueshme për të bërë fushatë”, tha ish-deputeti i PD-së.

I pyetur nëse i priste zhvillimet që ndodhen në PD pas zgjedhjeve të 25 prillit, Biberaj tha se po.

“Kam qenë i idesë që kjo garë brenda PD-së të shtyhej për në vjeshtë, por ndodhi e kundërta. Data u afrua me idenë që të mbaronim punë brenda PD-së, që të merremi më pas me sfidat e tjera të rëndësishme.

Zgjedhjet e 25 prillit nuk kanë qenë as të lira, as të ndershme e as demokratike. Është turp që pas 30-vitesh nuk organizohen zgjedhje si vendet tona komshi”, tha ish-deputeti i PD-së.

Sipas tij, detyra e parë që duhet të bëjë Basha pasi të zgjidhet kryetar i Partisë Demokratike, duhet të ribashkojë PD-në.

“Afrimi i atyre që kanë hatërmbetje. Duhet që të kemi një fillim të ri nga një këndvështrim tjetër, më modern. Partitë politike në Shqipëri e sidomos PD kanë vuajtur këtë tranzicion. Në PS ka vite e vite që nuk ka garë. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që një qeveri të marrë mandatin e tretë. Por kjo qeveri nuk do të ketë shanse për të mbyllur mandatin e tretë”, tha Biberaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

error: Alert: Content is protected !!