Fred Peza: Kurrë nuk ka qenë Edi Rama më pranë mandatit të tretë se sa tani!

Përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Alfred Peza, ka bërë një shkrim, ku thotë se Edi Rama ka shanse shumë të larta të marrë një mandat të tretë, madje kurrë nuk kemi qenë më pranë kësaj mundësie, se sa tani.

Në fakt, më parë nuk kishim si të ishim pranë kësaj mundësie, sepse Edi Rama ka qenë duke konsumuar manadtin e dytë.

Peza thotë se mundësia që Rama të marrë edhe një mandat tjetër, është kaq e madhe, sa ky probabilitet i lartë dhe thuajse historik, i ka dhënë shumë jehonë kohët e fundit, diskutimit për mandatin e tretë. Madje sipas Pezës, faktit që po flitet kaq shumë për mandatin e tretë të Edi Ramës, tregon se ai është shumë pranë kësaj arritje.

Ja disa nga konstatimet e Pezës në shkrim, botuar në Alpenews (domethënë Alfred Peza news):

“Nuk është folur kurrë kaq shumë përgjatë mandatit të dytë të një qeverie, në këto 23 vitet e fundit, sesa për mandatin e tretë të Kryeministrit Edi Rama. Nga 1997 e deri sot, mazhorancat kanë qenë 8 vjeçare, me nga dy mandate secila. As në 2005, kur mbaroi mandatin e dytë PS dhe as në 2013 kur e mbaroi mandatin e dytë PD, nuk është folur sa tani, për mandatet e treta të Nanos apo Berishës. Kjo tregon se, kurrë nuk kemi qenë më pranë kësaj mundësie sa tani, në epokën post komuniste.

E para, kjo gjë përflitet kaq shumë, sepse duket që ka një propabilitet të lartë që të ndodhë. Dhe kjo ndihet jo vetëm thjeshtë brenda gardhit të mazhorancës, por edhe brenda vetë opozitës. Ndaj, edhe është një opsion që ka fituar kaq shumë qytetari.

E dyta, tradita e fitores së tre, katër e ndoshta ndonjëherë edhe më shumë mandateve qeverisëse radhazi, është një praktikë normale e historisë së demokracive perendimore. Por jo e demokracive funksionale të ish lindjes komuniste. Aq më pak të Ballkanit dhe Shqipërisë. Me përjashtim të periudhave autoritariste të fqinjëve, cilat më pas përfunduan si mos më keq, për pushtetmbajtësit.

Kjo e bën akoma edhe më interesante, diskutimin e kësaj teme në Shqipëri, duke i dhënë zë një debati që do vijë me siguri duke u rritur përgjatë këtij viti kalendarik, derisa të shkojmë në zgjedhjet e reja në 2021. Sepse mundësia është aq e madhe, sa i jep jehonë reale, këtij diskutimi”.

Leave a Reply