Fotot/ Një tjetër lloj lejleku i rrallë vjen për të banuar në Shqipëri, pamjet e mrekullueshme

Lajmin e ka dhënë Shoqata Shqiptare e Ornitologjisë (AOS) e cila ka theksuar se këto specie janë të pakta edhe për shkak të sjelljes së tij diskrete.

Lejleku i zi, në ndryshim nga Lejleku, është një shpend vetmitar që e shmang kontaktin me njeriun. Ai preferon pyje të vjetër, të pashqetësuar e me pemë të larta, ku dhe ndërton folenë. Ndërkohë, për t’u ushqyer preferon habitate me ujëra të cekëta si këneta, moçale etj, ku gjuan peshq, amfibë, reptilë të vegjël, insekte, kërminj etj.

Jo më larg se disa ditë më parë, ekspertët e AOS panë 3 individë të Lejlekut të zi në zonën e Gjirokastrës, ku dhe në vitet e kaluara ka patur disa vrojtime të këtij shpendi. Këto vrojtime dhe të tjera në Kutë, Corush, Qesarat, etj lënë të kuptosh se vendi më i rëndësishëm i përhapjes së tij në Shqipëri mbetet rrjedha e mesme e Vjosës dhe Lugina e Drinos. Për fat të mirë, këta lumenj ende të lirë nga digat e hidrocentraleve, me xhepat ujorë të krijuar gjatë verës ofrojnë një habitat shumë të përshtatshëm për këtë specie.

Leave a Reply