Armend Zemaj: Po të isha ministër, kontrata me Pfizer do të kishte përfunduar tashmë

Ish-Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, e ka kritikuar thirrjen e Ministrisë së Shëndetësisë për vaksinim të qytetarëve mbi moshën 65 vjeçare pa e pasë një plan konkret dhe me vetëm 38 mijë doza të vaksinave.

“Kjo është papërgjësia dhe populizmi përmes subjektit politik dhe atyre portaleve fake që i menaxhojnë dhe krijojnë skena që janë të rrezikshme për shëndetin. Janë 166 mijë e 341 qytetarë në Kosovë që janë mbi moshën 65 vjeçare dhe t’iu bëhet thirrje publike që t’i mësyjnë qendrat e vaksinimit apo QKMF-të pa plan, kritere dhe mirëmbajtje të mirëfilltë me vetëm 38 mijë doza kjo është vetë skandali. Është vetë populizmi që e mbyt shëndetësinë dhe çdo dikaster qeveritar. Nëse e ke minimumin e vaksinave për këtë kategori dhe i thirr në mënyrë publike përmes militantëve politikë para se të bëhet thirrje në aspektin profesional, nuk dëgjohet IKSHPK-ja dhe nuk i lejohet që ta menaxhojë këtë situatë është absurde”.

“166 mijë njerëz me i thirr publikisht ‘Ejani sot të vaksinoheni’, atëherë cila është renditja? Cilët njerëz mbi moshën 65 vjeçare e kanë komoditetin të regjistrohen online? Shumica e komunave as nuk e kanë filluar procesin e vaksinimit, edhe nëse kanë qenë dozat minimale. Çfarë kapaciteti të dozave ka Salla “1 Tetori”? Pse nuk është aktivizuar qendra në IKSHPK dhe ajo te Inspektorati Shëndetësor kur kanë qenë të planifikuara dhe të përgatitura?”.

Zemaj, në Klan Kosovë, e ka kritikuar menaxhimin e pandemisë nga pasardhësi i tij, Arben Vitia, derisa ka thënë se po të ishte ai ministër kontrata me Pfizer do të ishte çështje e kryer.

“Unë e them me përgjegjësi të plotë që kontrata me Pfizer do të ishte e përfunduar nëse do të isha ministër. Mund të kishte lëvizje pozitive edhe me prodhues të tjerë dhe e dyta është bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë qoftë në sigurimin shtesë të donacioneve më të mëdha në ardhjen emergjente për t’i ndihmuar Kosovës. Këto janë ndërprerë, sepse nuk ka pasë interesim që të marrin informacione shtesë”.

Por, a ndjehet Armend Zemaj përgjegjës ose fajtor për gjithë situatën e krijuar me vaksinimin?

“Absolutisht jo. Do të kisha ndjerë një lloj përgjegjësie ose faji nëse nuk do të kisha përmbushur disa nevoja që kanë qenë më shumë se imediate në menaxhimin e situatës pandemike”.

“Sektorin e shëndetësisë e kam gjetur me numër minimal të respiratorëve që kanë qenë esenciale për t’i mbajtur njerëzit në jetë dhe sot ka mjaftueshëm. Kosovën e kam gjetur me 150 teste në ditë dhe e kam lënë me më shumë se 5500 testime brenda ditës. Sot mërgatës nuk i lejohet të testohet në institucionet tona publike dhe duhet të drejtohen te institucionet private për të udhëtuar, derisa ne i kemi testuar të gjithë falas. Ky është dallimi”.

“Resurset humane dhe kapacitetet që kemi shtuar janë të shumëfishuara. Nuk kemi pasë probleme me pajisje dhe mjete mbrojtëse. Janë me dhjetëra miliona donacione që kam pranuar gjatë kohës sa isha Ministër i Shëndetësisë. Nuk është e lehtë për një ministër që brenda ditës t’i adresohet 10 agjencive ose vendeve demokratike që kanë potencial financiar për t’iu kërkuar ndihmë. Unë jam krenar për atë që kam bërë”.

error: Alert: Content is protected !!