Guardiola e përkrah Xavin për pozitën e trajnerit të Barcelonës

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, beson se është e paevitueshme që mesfushori spanjoll Xavi një ditë ta marrë drejtimin e skuadrës së Barcelonës.

Pep Guardiola bëri emër si trajner në Camp Nou, ku fillimisht e mori drejtimin e ekipit të parë në vitin 2008, që ishte fillimi i një epoke të artë për klubin, i cili e fitoi tripletën qysh në sezonin e tij debutues, transmeton Gazeta Express.

Mes emrave të famshëm që Guardiola i kishte në dispozicion gjatë kohës së tij në drejtim të Barcelonës ishte edhe Xavi, i cili i kaloi 17 vjet me ekipin e parë, duke e fituar reputacion si një legjendë e katalonasve.

Pas një karriere mbresëlënëse me Barcelonën, Xavi i kaloi katër vjet duke luajtur për Al Sadd, për të cilët edhe u bë trajner i ekipit të parë në Superligës e Katarit.

Guardiola beson se këta janë hapat e parë të ish-mesfushorit në drejtim të pozitës së trajnerit të kampionit në fuqi të Spanjës.

“Herët apo vonë, kjo do të ndodhë. Ai është ende shumë i ri, por kjo do të ndodhë natyrisht. Ai e kupton futbollin dhe ka shumë pasion e përkushtim. Ai është guximtar dhe thotë gjëra shumë të mençura”.

Që kur e ka lënë në mënyrë vullnetare postin e trajnerit të Barcelonës, ën vitin 2012, Guardiola i kaloi tre vjet me Bayern Munichun dhe pastaj kaloi te Manchester City, me të cilët ka kontratë deri në vitin 2021.